SHFK „Gjergj Kastrioti Skenderbeu“

f. Sërbicë , komuna e Kërçovës

Shkolla Fillore e fshatit Sërbicë ka një histori të vaçant në krahasim me shkollat tjera të rrethit të Kërcovës e më gjërë sepse është shkolla e pare në gjuhën shqipe në trevat e Kërçovës prej vitit 1945.
Mësimi në atë kohë është realizuar si pesëvjeçare , pastaj si shtatëvjeçare , më vonë si tetëvjeçare dhe tash funksionon si nëntëvjeçare. Mësimi mbahet në dy objekte shkollore në qendër në f. Sërbicë dhe dy shkolla periferike , njëra në fshatin Zhubrinë dhe tjetra në fshatin Novosell.

MOTOJA e shkollës sonë është :
„Shkolla jonë është e hapur për të gjithë dhe funksionon sipas nevojave të nxënësve“

“Hapja e shkollave të para shqiptare, në historiografinë më të re shqiptare konsiderohet si Rilindja e Dytë për shqiptarët e këtyre viseve”. “S`do mend se për këtë meritë të madhe patën mësuesit shqiptarë, të cilët me kërkesë të Ministris së Arsimit, përkatësisht Ministrit Ernest Koliqi, që të kyçen në procesin e hapjes së shkollave në viset e liruara, me kënaqësi pranuan të vijnë në këto vise”.
Kësaj thirrjeje iu përgjigjën shumë arsimtarë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Si rrjedhojë, shkollat e para shqipe u hapën në fillim të nëntorit në të gjitha viset shqiptare të parapara. Midis këtyre shkollave ishte dhe ajo e fshatit Sërbicë, ku mësuesi i parë që u caktua për të dhënë mësim ishte z. MAHMUD DUMANI.
Ishte pikërisht ky njeri, i cili për herë të parë ia vuri çelsin shkollës së fshatit Sërbicë -sot e njohur me emrin Shkolla Fillore “Gjergj Kastrioti Skenderbeu”, ku nxënësit do të mësonin për herë të parë në gjuhën shqipe.
Këtu është e nevojshme të shënojmë atë se në vitin 1946 “Sërbica ka qenë shtylla e arsimit në Maqedoni, nxorri mbi 50 arsimtarë; të gjithë arsimtarët mbulonin gjithë Maqedoninë; prej Shkupi, Tetove, Gostivari, Struge të gjithë ishin arsimtarët nga Sërbica”.
“Në vitin shkollor 1948/49 në rrjetin shkollor në rajonin e Kërçovës ka funksionuar vetëm një shkollë shtatëvjeçare dhe ajo ishte shkolla e fshatit Sërbicë, e cila e vazhdoi punën e saj si e vetmja shkollë që kishte funksionuar edhe viteve 1941/44, kur nxënësve ua pranuan dëftesat dhe kjo shkolle vazhdoi me klasat e larta. Kjo shkollë shtatëvjeçare ishte e vetmja shkollë që në gjirin e saj pranonte nxënës nga të gjitha fshatrat e Kërçovës dhe kjo shkollë si shkolle shtatëvjeçare ose, siç quhej, progjimnaz i vetëm në Kërçovë e rrethinë, e filloi punën me klasën V, të cilën e kanë ndjekur 16 nxënës.

Gjenerata e parë, e cila e kreu shkollën shtatëvjeçare në Sërbicë, gjatë vitit shkollor 1947/48 kishte këta nxënës: BELUL ADILI, MEFAIL BALLAZHI, HAJRADIN ARSLLANI, BEXHET QERIMI, OSMAN DEMIRI, të gjithë nga fshati Sërbicë; MUSTAFA PINJOLLI nga fshati Zhubrinë; ABDULLA KADRIU dhe FERAT AHMEDI nga fshati Haranjell; MAZLLAM SULA nga fshati BERIKOVË; dhe SHUKRI HUSEINI nga fshati Popojan
Duke u bazuar na Arhivën e RMV, ne RPM ka 6 shtatevjecare ne 13 paralele. Ato jane te renditura ne keta rrethe: f.Vrapcishte-Gostivar, f.Tearce-Tetove, qyteti i Struges, f.Matejce-Kumanove, f.Kranje-Resnje, f.Serbice-Kercove me rrethine”.

    Shkolla e Sërbicës funksionoi si shtatëvjeçare deri në vitin 1951 dhe pastaj kaloi në shkollë tetëvjeçare në gjuhën amtare SHQIPE  dhe njihet edhe si shkolla e pare ne Maqedoni si shkollë që kalon në tetëvjeçare”.

    Kjo ishte e vetmja shkollë tetëvjeçare në gjuhën shqipe, vatra e arsimit në rrethin e Kërçovës, duke filluar nga gjenerata e parë në vitin shkollor 1947/48 dhe deri në vitin shkollor 1962/63.

    Si e tillë shkolla e Sërbicës u frekuentua jo vetëm nga nxënësit e Sërbicës, por edhe nga të ardhur prej fshatrave të tjera.

    Këtë institucion arsimor e kanë udhëhequr drejtorët ku do ti përmendim me rradhë prej nga e kaluara deri me sot:

    Hisen Kaleshi ,Esat Imeri, Abedin Zenku, Jusuf Ballazhi, Esat Lazami, Osman Hasani, Isa Gizha, Ethem Selimi, Kadri Elezi, Sait Begzati, Feto Mehmedi, Beadin Ballazhi, Ajshe Zenku, z. Abedin Ballazhi,  z. Xheli Xhelili dhe drejtori aktual i shkollës sonë sot z-nja Shkëlqime Bekteshi.

    Arsimtarët e kësaj shkolle që kanë punuar prej vitit të parë shkollor,  pas luftes janë:

    Hisen Kaleshi,Nexhat Pustina,Abidin Zenku,Esat  Imeri, Baftir Qazimi,Daut Ballazhi,Vahit Emini, Jusuf Ballazhi, Zejnulla Mehmedi, Isa Gizha, Rasim Adili, Rexhep Halili, Ethem Selimi, Osman Hasani, Shefki Zylbehari, Hamza Halili, Rexhep Ballazhi, Idriz Ahmedi, Ramazan Bajrami, Beqir Selimi, Ramazan Ibishi, Nuredin Ballazhi, Emine Ballazhi, Emine Kadriu, Hisen Bekteshi, Hajrulla Ballazhi, Refik Limani, Hajradin Zenku, Veli Tafallari,etj.

    Të gjithë këto  arsimtarë me punën e tyre të  palodhëshme kanë kontribuar në realizimin e procesit edukativo arsimorë, në emancipimin e femrës shqiptare, sepse femra shqiptare nga trevat tona ka ndjek mësimin në shkollën fillore të fshatit Serbicë  ku iniciatorë kanë qenë arsimtarët e asaj kohe e mbi të gjithë ka qenë profesori z.Abedin Zenku I cili angazhohej pa masë për shkollimin e popullit shqiptar.

    Meqenëse në atë kohë ka qenë shumë vështirë për të udhëtuar nga vendet e largëta , fshatarët e fshatit tonë kanë organizuar që një shtëpi e vjetër të shfrytëzohet si  konvikt për tu vendosur  nxënësit që vinin nga larg.

    Pastaj meqenëse nga ana e personave në moshë të rritur  më tepër shtohej interesi për mësim ,  janë organizuar KURSE tremujore më pas u janë parashtruar provimeve dhe janë paisur me Dëftesa për klasat e kryera.

    Në këto kurse janë paraqitur një numër i madh nxënësish të moshës madhore ndër të cilët kishte edhe femra shqiptare.

    Kuadri arsimor :

    Kolektivi i shkollës sonë numëron 42 të punësuar prej të cilëve 25 femra dhe 17 meshkuj.